Djali im

E mërkurë, March 29, 2017

Ndenja më shumë se 24 orë me dhimbje. Fëmijën ma tërhoqën me vakum. S’kishte drita, nuk e futën as në inkubator. I vinin bidona me ujë të ngrohtë. Në 4 muajt e parë të jetës djali nuk kishte shumë reagime. Më vonë kuptuam që nuk ecte dot ”- tregon Buqja.

Familja e tyre është gëzuar me 4 fëmijë, 3 vajza dhe një djalë, Florin.

13-vjeçari ka paralizë cerebrale inferiore. Në asnjë ditë gjatë këtyre viteve e ëma nuk e humbi shpresën e as nuk i ndaloi përpjekjet që djali të ecte vetë, pa u mbajtur diku apo nga dikush.

Kur ishte më e re dhe Flori më i vogël, arrinte ta mbante vetë në krahë. Tani e ka thuajse të pamundur ta lëvizë pa ndihmën e bashkëshortit, kunatës apo njërës prej vajzave.

E përhumbur në kujtime rrëfen se kur shoqëronte Florin nëpër vizita, fëmijët e tjerë i linte vetëm në shtëpi. Bashkëshorti ishte në emigrim. Pas disa kohësh edhe ai u detyrua të kthehej, pa pasur mundësinë që të shkonte sërish jashtë për të punuar.

Sa kam pasur mundësi i kam bërë fizioterapi, logopedi, por nuk kam mundësi financiare ta çoj çdo ditë dhe aq shpesh sa duhet se jemi pa punë. Përveç ndonjë pune të vogël që mund të bëjë burri, e mbyllim muajin me pagesën që merr Flori si person me aftësi të kufizuar dhe timen që kujdesem për të. Madje Flori është bërë njëherë operim dhe pas disa kohësh duhet të bëjë një tjetër operacion. Herën e parë na ndihmoi shumë World Vision, një pjesë i siguruam vetë dhe një shumë të vogël e mblodhën vetë nxënësit e shkollës së Florit. Para ca kohësh iu prish edhe karroca dhe WV arriti të na siguronte një të re ” – thotë e ëma.

Puna e vazhdueshme e familjes për Florin ka filluar të japë rezultate. Megjithse ende nuk është ngritur në këmbë, ka pasur përmirësime. Arrin të artikulojë disa fjalë, të shkruajë e të bëjë disa veprime të thjeshta matematikore. Këto arritje janë të vogla në dukje, por kolosale për Buqen.

“E kam çuar 3 vite në kopësht privat dhe sot djali është në klasë të 3-të. Nuk e kam shkëputur asnjë ditë. Ai rri me mua gjatë gjithë kohës. Mundohet të flasë edhe me motrat. I thotë më jep çantën, librat…Ndonjëherë edhe iu korigjon gabimet tek detyrat” – thotë ajo duke shtuar se lënda e preferuar e djalit është matematika.

Të gjithë në shkollë e duan dhe e ndihmojnë Florin, veçanërisht Migena, shoqa e bankës. Siç tregojnë familjarët, në shkollën e tij ka shumë fëmijë me aftësi ndyshe, kështu që vetëm 2 herë në javë ka mundësinë që të ketë mësuesen ndihmëse.

Me lot në sy, por pa iu dridhur aspak zëri Buqja thotë: “Duam vetëm të na eci Flori, s’më duhet as shtëpia e asgjë tjetër, vetëm Flori të jetë mirë, e pastaj me vdek asgjë s’është!”